Fakulteti i Agrobiznesit

Fakulteti i Agrobiznesit është njësi akademike pranë Universitetit ”Haxhi Zeka” që ofron mësimdhënie dhe mësimnxënie cilësore, për kuadrot profesionalisht të afta për tregun e punës në bujqësi, mjedis dhe ushqim për ti kontribuar ekonomisë në regjion e më gjerë me interes të përgjithshëm publik.

Fakulteti i Agrobiznesit orientohet drejt programeve të profilizuara studimore në harmoni me kërkesat e tregut në fushën e Bujqësisë, mjedisit, ushqimit dhe ne fushat tjera të ndërlidhura.

Fakulteti i Agrobiznesit

 

Historiku. – Peja ka qenë dhe mbetet njëra ndër qendrat më të njohura dhe më me ndikim të Regjionit të Dukagjinit dhe të Kosovës në përgjithësi. Kjo qendër dhe ky regjion njihen me lashtësinë e saj, me pozitën gjeostrategjike, e ne veçanti me demografinë, hidrografinë,  klimën dhe biodiversitetin e përshtatshme. Si e tillë vetëm Peja, pa qendrat tjera regjionale, ka një sipërfaqe prej 603 km2, dhe pothuajse gjysma e territorit është zonë malore –  Rugova, e pasur më pyje e kullosa dhe e përshtatshme për zhvillimin e blegtorisë. Sektori i bujqësisë jo vetëm në Pejë por edhe në regjion dallohet edhe për karakteristikat që kanë vendbanimit, për lavërtarinë, pemëtarinë, blegtorinë, pylltarinë, etj. Pjesa tjetër qyteti më rrethin është tokë pjellore e punueshme, e përshtateshe për zhvillimin e bujqësisë, pemëtarisë, vreshtarisë, etj. Komuna e Pejës kufizohet me: Istogun, Klinën, dhe Deçanin. Kurse me komunën e Plavës, Beranës dhe Rozhajës kufizohet me Malin e ZI. Në anën tjetër, kufizohet me Republikën e Shqipërisë. Territori i Komunës së Pejës përbehet nga dy tërësi gjeografike: njëra me klimë kontinentale të shprehur klimë mesdhetare që përfshin përafërsisht 30% të sipërfaqes së përgjithshme, dhe vargmalet e Alpeve shqiptare në veriperëndim, me një rrjet hidrografik të zhvilluar që ndikon si modifikim i klimës në këtë pjesë. Historikisht bujqësia në Kosovë, në veçanti në Regjionin e Dukagjinit, ka qenë sektor i rëndësishëm për ekonomitë familjare. Ky regjion dallohet për një rrjetë të përshtatshëm rrugorë dhe transport publik. Qyteti i Pejës dhe regjioni i Dukagjinit që pas Luftës së Dytë Botërore kanë qenë të njohura me kapacitete të fuqishme industriale në fushën e bujqësisë. Në Pejë ka funksionuar Kombinati Bujqësor – Industrial, një numër i madh i Kooperativave Bujqësore nëpër zona rurale, në Gjakovë Kombinati Industrial – Bujqësor “Ereniku”, “Virgjinia”, Kooperativa Bujqësore e Becit, në Klinë Kombinati Malushgani, etj. Tani një pjesë e madhe e këtyre kapaciteteve, pas procesit të privatizimit, janë transformuar në ndërmarrje private ose janë shuar. Megjithatë pas Luftës së fundit ekonomia dhe bujqësia ka marrë drejtimin e zhvillimit në baza krejtësisht të reja duke u modernizuar dhe duke zbatuar, gjithnjë e më shumë, teknikat, metodat dhe teknologjitë më bashkëkohore për shfrytëzimin maksimal të të gjitha kapaciteteve të mundshme. Si ndërmarrje të suksesshme të cilat në këtë fushë dallohen janë: Fabrika e Birrës Pejë, Fabrika e Bimëve Aromatike “Agroprodukt” në Istog, Fabrika e ëmbëlsirave në Klinë, Fabrika për përpunimin e farave ne Klinë, Fabrika e përpunimit të grurit Sillosi në Xërxe, kapacitetet prodhuese të Kompanisë Elkos, Shoqata e njohur “Molla” e njohur për kultivimin e pemëve, etj, dhe shumë institucione të tjera që kanë një ndikim në këtë sferë siç është Instituti Bujqësor i Kosovës në Pejë, Instituti Pyjor i Kosovës në Pejë, Instituti për mbrojtjen e monumenteve, etj,.     

Themelimi i Fakultetit të Agrobiznesit. –  Menaxhmenti dhe personali akademik i Fakultetit të Shkencave të Aplikuara të Biznesit të cilët kishin marrë barrën për inicimin dhe themelimin e universitetit në Pejë që në vitin 2009 kishin filluar parapërgatitjet për t’i identifikuar se cilat do të jenë njësitë akademike të universitetit të ardhshëm. Në këtë drejtim analizohen shumë dokumente, strategji sektoriale e ndërsektoriale të zhvillimit të bujqësisë dhe agroekonomisë jo vetëm të Pejës por edhe në Regjion të Dukagjinit dhe të vendit. Identifikohen qendrat e mesme arsimore në regjion të cilat ofronin programe të kësaj natyre. Studiohen raporte me të dhëna statistikore për numrin e popullsisë që jetonin në vise rurale, kapacitetet teknike e teknologjike, programet të cilat ofroheshin në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës, numri i kapaciteteve biznesore private dhe publike të angazhuara në këtë sferë. Faktori më i rëndësishëm i cili i sintetizonte të gjitha këto komponentë ishte Institutit Bujqësor të Kosovës më seli në Pejë si njëri ndër institucionet më të rëndësishme edhe në fushën e kërkimeve laboratorike dhe potenciali njerëzore – ekspertë me nivel të lartë shkencor. Nisur nga këto të dhëna, së bashku edhe me propozimet për njësitë të tjera të cilat do mund të themeloheshin në universitetin e ardhshëm theksohet edhe fakulteti i agrobiznesit. Themelimi i kësaj njësie u bazua në karakteristikat që i posedonin qytetet e Regjionit të Dukagjinit  Peja, Istogu, Deçani, Juniku, Klina dhe Gjakova duke i identifikuar  nevojat e tyre të cilat do të kombinoheshin me komponentë të biznesit duke vlerësuar se këto profile i duheshin ekonomisë e cila pas luftës së fundit po mëkëmbej në vend. Mbi këto ide e vlerësime Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në fundin e vitit 2009 e angazhon Këshillin Britanik që t’i analizojë këto propozime e të dhëna dhe të del më një raport konkret. Në fillim të vitit 2010 Profesor Stiv Bristow i Këshillit Britanik ia dorëzon MASHT – it, raportin e fisibilitetit duke i dhënë orientimet për fushat dhe drejtimet të cilat do të mund të ishin të qëndrueshme dhe të dobishme për themelimin e njësive të caktuara në Universitetin i cili po përgatitej të themelohej. Në këtë dokument eksperti gjegjësisht profesori Bristow i rekomandon MASHT – it, themelimin e universitetit në Pejë. Gjatë periudhës nga marrja e raportit deri të marrja e vendimit për themelimin  (mars – nëntor) Menaxhmenti dhe personali akademik i FSHAB –it kontaktojnë dy ekspertë të bujqësisë me titull doktorë në punë në Institutin e Bujqësor të Kosovës në Pejë dhe nga ata kërkohet që t’i bashkëngjiten ekipit për themelimin e universitetit në Pejë dhe përgatitjen e programeve të cilat duheshin të zbatoheshin në të ardhmen pasi që ato të akreditoheshin. Puna rreth themelimit dinamizohet edhe më tutje tani drejt përgatitjes së programeve mësimore. Në këtë fazë analizohet edhe më thellë kombinimi i komponentëve të agros me biznesin. Qëllimi ishte që në universitetin e ardhshëm afirmimi i një qaje të integruar të programeve, nëpër të gjitha njësitë akademike, pavarësisht nga natyra që kishin, të ndërlidheshin në mes vete me komponentin e biznesit duke qenë të bindur se kjo këtë universitet do bënte me vlerë dhe të veçantë në vend dhe më gjerë. Me 14.11.2011, Ministri i MASHT- it nxjerrë vendimin për themelimin e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë. Ndërkaq, mbi bazën e raportit të fisibilitetit, të dhënave të mbledhura për qëndrueshmërinë  dhe aryseshmerinë e themelimit të kësaj njësie akademike dhe ekzistencës të burimeve njerëzorë me kualifikime shkencore adekuate    Ministri i MASHT –it, me datën 06.01.2012, nxjerrë dhe nënshkruan Statutin e Përkohshëm të Universitetit “Haxhi Zeka” ku në neni 26 të tij themelohet Fakulteti i Agrobiznesit si fakultet në kuadër të këtij institucioni. Pas këtij vendimi grupi punues në fjalë, tani nën drejtimin e dy ekspertëve të Institutit Bujqësor të Kosovës, përkatësin programet të cilat duheshin të kalonin procesin e vlerësimit – akreditimit. Në Qershor të vitit 2012 Agjencisë Kosovare të Akreditimit i dorëzohet dokumentacioni për fakultetin dhe për vlerësimin e dy programeve: Teknologji e prodhimit bimor dhe Agromjedis dhe Agroekologji. Pas kësaj faze Agjencia Kosovare e Akreditimit i akrediton programet në fjalë me çfarë hapet rruga e hapjes së konkursit për pranimin e personalit të rregullt akademik  dhe të angazhuar dhe po ashtu hapej  e konkursit për pranimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2012/13. Me datën 01. Tetor 2012 Fakulteti i Agrobiznesit e fillon punën.  Programet e studimit të ofruara janë programe të studimit të organizuara sipas sistemit të Bolonjës, tri vjeçare me 180 ECTS, përkatësisht 4 vjeçare me 240 ECTS në nivelin Bachelor ndërsa dy vjeçare me 120 ECTS, përkatësisht 1 vjeçare me 60 ETCS. Njësi akademike e Universitetit “Haxhi Zeka” që nga viti 2012 është edhe Fakulteti i Agrobiznesit (FAB), i cili aktualisht është i organizuar në tri departamente dhe ofron programe të studimeve në nivelin bachelor dhe master. Programet e studimit të ofruara nga FAB janë programe të studimit të organizuara sipas sistemit të Bolonjës, tri vjeçare me 180 ECTS, Msc. 2 vite 120 ECTS. Përndryshe, këto programe të studimit ofrohen sipas metodave bashkëkohore të mësimdhënies siç janë: studentin në qendër; organizimi i studentëve në grupe më të vogla, aplikimi i metodave interaktive të ligjëruarit, përfshirja e studentëve në procesin mësimor përmes vlerësimeve të ndryshme, aplikimi i metodave transparente të vlerësimit etj. FAB aktualisht organizon dhe zhvillon studime universitare themelore të rregullta në katër  programe: 

  • Teknologji e Prodhimit Bimor  (BSc, 180 ECTS);  
  • Agromjedis dhe Agroekologji  (BSc, 180 ECTS); 
  • Teknologji Ushqimore  (BSc, 180ECTS).
  • Sistemet e qëndrueshme të prodhimit ushqimore (Msc. 120 ECTS).  

Struktura organizative e FAB dhe fushëveprimi i tij është i rregulluar me shumë dokumente ligjore, ndërsa dokumentet bazë të cilat e përcaktojnë organizimin dhe funksionimin  e tij janë: Ligji për Arsimin e Lartë (aneksi 1), i miratuar në vitin 2015, Statuti i UHZ-së i vitit 2013 (aneksi 4), Rregullorja për Organizimin e Brendshëm të UHZ-së (aneksi 6).

Programet në nivelin Bachelor janë hartuar konform Ligjit të Arsimit të Lartë 04/L-037 (aneksi 1), Udhëzimit Administrative nr.15/18 (aneksi 2) për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë në Republikën e Kosovë, Manualit të AKA për akreditim (aneksi 3), sipas deklaratës së Bolonjës, Statutit të Universitetit “Haxhi Zeka” (aneksi 4) dhe Planit Strategjik të Universitetit Publik “Haxhi Zeka”. Programet janë përpiluar me një qasje bashkëkohore që e bën të krahasueshëm me kurrikulat e universiteteve të njohura ndërkombëtare. Në secilin hap të hartimit të këtij programi, vëmendje e veçantë i është kushtuar ndërlidhjes me nevojat e tregut të punës që të diplomuarit nga ky program të ofrojnë vlerë për institucionet kërkimore/shkencore dhe ekonominë e vendit në përgjithësi. Gjithashtu, programi ka marrë parasysh hulumtimet e tregut të realizuara nga organizata të ndryshme që dëshmojnë se aftësitë menaxhuese dhe janë mjaft të kërkuara në tregun e punës.Plan-programet e Fakultetit të Agrobiznesit janë të hartuara sipas modelit evropian të transferim të kredive ECTS ndërsa raporti në mes punës teorike dhe asaj praktike është  60% me 40%. 

Udhëheqja institucionale, strukturat e menaxhimit dhe marrëveshjet e administratës dhe personelit

Kjo njësi akademike e Universitetit udhëhiqet nga Dekani dhe dy Pro-dekanë (prodekani për çështje mësimore dhe prodekani për çështje financiare). Dekani dhe dy prodekanët zgjedhën nga Këshilli i Fakultetit i cili përbëhet nga profesorë, asistentë, anëtarë nga personali jo akademik dhe nga radhët e studentëve. Dekani dhe dy prodekanët janë gjithashtu anëtarë të Këshillit të Fakultetit. 

Menaxhimi i punëve dhe detyrave administrative të përditshme përkrahet nga koordinatori për cilësi dhe zhvillim akademik, zyrtarët ligjorë dhe administrativë si dhe nga asistentët administrativë.

Aktualisht, personeli akademik i përhershëm përbëhet nga, 8 Profesorë të Asocuar, 5 Profesorë asistentë, dhe 4 asistentë. Përveç personelit të rregullt akademik, Fakulteti i Agrobiznesit angazhon edhe personel akademik në cilësi të bashkëpunëtorëve (ligjërues dhe asistentë). 

Studentët, prejardhja e tyre socio-ekonomike 

Sipas Statutit, Universiteti është i detyruar të krijojë mundësi të barabarta për të gjithë pa asnjë diskriminim të bazuar në gjini, racë, orientim seksual, status martesor, gjuhë, fe, besim politik, kombësi, përkatësi etnike ose shoqërore, etj., ose përkatësia në një komunitet kombëtar, pronë, statusi i lindjes ose ndonjë status tjetër. Studentët që studiojnë në tre programet e përmendura të studimit kryesisht janë nga Regjioni i Dukagjinit që përfshinë komunat:  Pejë, Deçan, Klinë, Istog, Gjakovë, Junik, Rahovec, Malishevë, Prizren. Përveç studentëve nga Regjioni i Dukagjinit, në FAB ndjekin studimet edhe studentë nga viset dhe regjionet e tjera të Kosovës, si dhe nga shtetet e tjera si nga Shqipëria dhe Mali i Zi (4 boshnjak, 12 komuniteti RAE dhe 1 malazez). Studentët që studiojnë në këtë fakultet ju përkasin të gjitha shtresave socio-ekonomike të shoqërisë kosovare.  Në përputhje me statutin e UHZ-së, studentët e FAB janë të organizuar në Këshillin e studentëve në njësinë akademike, ndërsa janë të përfaqësuar në Parlamenti i Studentëve në nivel të universitetit dhe me anëtarë me të drejtë vote edhe në Këshillin e FAB.                

Translate »