Ambasadori i Italisë Zt. Antonello De Riu ishte sot për vizitë në universitetin tonë, me ç’rast u prit me respekt të veçantë nga menaxhmenti i lartë në sallën e senatit të UHZ-së. Ambasadori ishte i shoqëruar nga: zëvendës ambasadori, Zt. Ugo Ferrero, konsulli i nderit Zt. Naim Gacaferi, udhëheqësja e sektorit ekonomik Znj. Daniela De Giorgi dhe profesoresha e gjuhës Italiane Znj. Raffaela Rittuci.
Rektori, prof.dr. Armand Krasniqi fillimisht falënderoi ambasadorin për vizitën e tij, të cilin më pas e njoftoi shkurtimisht me historikun e institucionit, programet universitare aktuale dhe rrjedhat e proceseve akademike. Përveç kësaj, rektori Krasniqi në cilësi të udhëheqësit të universitetit dhe në cilësi të qytetarit të Pejës, i shprehu ambasadorit vlerësimin dhe mirënjohjen e tij për kontributin e KFOR-it italian dhënë qytetit të Pejës në përgjithësi dhe universitetit në veçanti. Në vijim, prorektori prof.dr. Edmond Beqiri informoi mysafirët për specifikat e njësive e akademike dhe për nevojën e mbështetjes që ato kanë.
Ambasadori De Riu, u falënderua për mikpritjen dhe shprehu gatishmërinë e tij për të përkrahur nevojat universitare, si dhe për të intensifikuar bashkëpunimin lidhur me realizimin e projekteve mes UHZ dhe universiteteve italiane.
Pas takimit formal, mysafirët u shoqëruan në sallën e koncerteve të Fakultetit të Arteve, i cili kishte përgatitur dy pika muzikore, të përzgjedhura enkas për delegacionin italian. Kori i studentëve, nën dirigjimin e dekanit Nimani performoi këngën e vjetër korale milaneze “Va pensiero” të kompozitorit Giuseppe Verdi. Gjersa, sopranoja prof. Adelina Paloja interpretoi me finesë dhe nivel të lartë artistik këngën napolitane “Core’ ngrato” me ko-repetitor Besart Shala. Mysafirët italian dhe të pranishmit, sa të emocionuar aq edhe të kënaqur, shpërblyen studentët dhe interpretuesit me duartrokitje të gjata e ngrohta.