ARTI QË BASHKON SHQIPTARËT– TAKIM HISTORIK NË UNIVERSITETIN “HAXHI ZEKA”

ARTI QË BASHKON SHQIPTARËT– TAKIM HISTORIK NË UNIVERSITETIN “HAXHI ZEKA”

📢 Në një ditë të shënuar mbarëkombëtare, Ditën e Alfabetit Shqip, i cili u unifikua 116 vjet më parë në Kongresin e Manastirit, Universiteti “Haxhi Zeka” mirëpriti një ngjarje të rëndësishme që bashkoi drejtuesit e Fakulteteve të Arteve nga Tirana/Shqipëria, Tetova/Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Kjo ditë simbolike për kulturën dhe identitetin kombëtar u pasurua me pjesëmarrjen e rektorit të Universitetit të Arteve të Tiranës, prof.dr. Erald Bakalli dhe dekanëve të fakulteteve të arteve nga rajoni, duke krijuar atmosferë frymëzuese për bashkëpunim dhe dialog akademik.

📝 Ngjarja kulmoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimi mes Universitetit “Haxhi Zeka” dhe Universitetit të Arteve të Tiranës, një akt i cili vendos themelet për thellimin e marrëdhënieve akademike dhe artistike mes dy institucioneve. Marrëveshja shënon një hap të rëndësishëm drejt rritjes së bashkëpunimit mes universiteteve dhe hap mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik të fushës së arteve. Në frymën e kësaj marrëveshjeje dhe simbolikës së bashkimit, pjesëmarrësit e krahasuan këtë nismë me “Urën me Tri Harqe”, ashtu si ky bashkëpunim që lidh tre vende në emër të artit dhe kulturës.

🗓️ Takimi u organizua me iniciativën e dekanit të Fakultetit të Arteve të UHZ-së, prof.dr.Hysen Nimani dhe përfshiu një agjendë të pasur me diskutime që preknin tema kyçe për të ardhmen e arsimit artistik. Midis temave të trajtuara ishin rishikimi dhe harmonizimi i përmbajtjes së programeve të studimit për fushat e arteve, organizimi i aktiviteteve të përbashkëta artistike dhe identifikimi i mundësive për bashkëpunim në fushën e kërkimit dhe zhvillimit artistik. Këto nisma synojnë të promovojnë cilësinë akademike dhe inovacionin në fushën e arteve.

🇦🇱Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu për krijimin e platformave të përbashkëta për studentët e arteve dhe nxitjen e shkëmbimeve akademike dhe kulturore mes institucioneve pjesëmarrëse. Ky bashkëpunim jo vetëm që pasuron dimensionin akademik dhe krijues të universiteteve përkatëse, por gjithashtu forcon lidhjet kulturore dhe identitetin kombëtar mes trevave shqipfolëse, duke u bërë një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit rajonal në fushën e arteve.

Gëzuar Ditën e Alfabetit – simbol i unitetit dhe kulturës sonë!

Translate »