Në ambientet e International Prishtina Hotel po mbahet konferenca “Të bëhemi kreativë për zhvillim rajonal” e organizuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal në partneritet me UN-Habitat Kosova. Konferenca që po organizohet, ka bërë bashkë pjesëmarrës të rëndësishëm dhe ka krijuar sinergji për bashkëpunim në politikat e zhvillimit rajonal, hulumtim, investime strategjike dhe inteligjente, zhvillim të aftësive të fuqisë punëtore dhe kapaciteteve për inovacion. Në këtë konferencë pjesëmarrëse nga universiteti “Haxhi Zeka” është prorektorja për Mësim, Cështje Studentore dhe Kërkime Shkencore, prof.ass.dr. Alma Shehu Lokaj.
Gjatë kësaj konference u diskutua edhe për rolin e universiteteve dhe rëndësinë e shkencës për zhvillim rajonal të qëndrueshëm. Gjatë sesionit të rrjetëzimit me pjesëmarrësit, prorektorja Shehu theksoi se Universiteti “Haxhi Zeka” nëpërmjet objektivit të tij themelor i të qenit një universitet ndërmarrës, programit të tij arsimor dhe aktiviteteve të tjera synon të ofrojë njohuri dhe aftësi që kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë dhe kjo konferencë hapi mundësi të reja për përfshirjen dhe trajnimin e studentëve për t’i bërë ata të aftë për tregun e punës, ndihmën në zhvillimin e komuniteteve lokale, dhe pjesëmarrjen në projekte sociale dhe mjedisore, duke kontribuar në këtë mënyrë në misionin e tretë. Me këtë fokus zv. Ministri I Ministrisë për Zhvillimi Rajonal dhe stafi i tij do të jenë prezentë në datën 22.04.2024 për të shpalosur përpara studentëve dhe personelit të UHZ-së, mundësitë që kjo ministri ofron në fushën e ndërmarrësisë, inovacionit, startup-eve, etj.
Pjesëmarrja në konferenca të tilla si “Të bëhemi kreativë për zhvillim rajonal” tregon vullnetin dhe aftësinë e universitetit “Haxhi Zeka” për të kontribuar në diskutimet dhe strategjitë për zhvillim rajonal ku UHZ mund të sjellë ekspertizën e tij akademike dhe praktike për të ndihmuar në identifikimin e mundësive dhe sfidave në zhvillimin e rajonit.
Kështu, misioni i Universitetit Haxhi Zeka përkon me angazhimin e tij në tërësi në përmirësimin e shoqërisë dhe zhvillimin rajonal përmes edukimit, hulumtimit dhe pjesëmarrjes aktive në diskutimet e rëndësishme për të ardhmen e rajonit.
Pjesëmarrës në këtë konferencë janë personalitete të larta si: minsitra, kryetarë, sekretarë të përgjithshëm, zyrtarë publik (niveli lokal/qendror), përfaqësues relevant ndërkombëtarë dhe kombëtarë (ambasadorë, përfaqësues biznesi, përfaqësues nga universitete, hulumtues).