Kush ishte Haxhi Zeka?
Shqiptarët, si popull i lashtë, kanë një nga historitë më të veçanta e më të larmishme, ndoshta ndër gjithë popujt e Evropës. Shekuj me radhë shqiptarët u gjendën nën trysninë e luftërave të ndryshme, por kjo nuk i pengoi të krijonin traditë të pasur në të gjitha aspektet e jetës, veçanërisht në kulturë dhe arsim. Në periudha të caktuara kohore shqiptarët qenë të pushtuar politikisht, por shpirti i tyre nuk u pushtua kurrë. Ndër personalitet e rralla që janë dalluar me kontribut të veçantë ka qenë edhe patrioti, industrialisti dhe intelektuali i kohës Haxhi Zeka.
Haxhi Zeka (Zekë Mehmet Byberi ), ishte njëri prej figurave më komplekse dhe më të shquara të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare gjatë shekullit XIX. Si i tillë, ishte luftëtar dhe atdhetar i pranuar nga të gjithë patriotët e kohës, por që kishte përkrahjen e popullatës shqiptare. Emri i Haxhi Zekës u bë i njohur me formimin e Lidhjes “Besa-Besë” të Pejës, në vitin 1889.
Ishte një nga organizatorët e “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” dhe një nga luftëtarët më të vendosur për autonominë e Shqipërisë dhe mbrojtjen e tërësisë së saj territoriale. Në Kuvendin e parë të lidhjes, më 10 qershor 1878, u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të saj. Në shtator 1878, mori pjesë si komandant ushtarak në krye të forcave të lidhjes në aksionin e Gjakovës, kundër Mehmet Ali Pashës. Në fund të 1879-ës dhe në fillim të 1880-ës luftoi për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë kundër forcave të Malit të Zi. Në pranverën e vitit 1881, mori pjesë në betejat kundër ushtrisë së Dervish Pashës. Së bashku me Sulejman Vokshin, Haxhi Zeka më 1884-1885 udhëhoqi kryengritjet anti-osmane të shqiptarëve të Kosovës, që synonin rimëkëmbjen e lidhjes dhe të vinin në jetë idetë e saj autonomiste. Për veprimtarinë e tij atdhetare, më 1893 u thirr në Stamboll, ku u mbajt i burgosur deri në vitin 1896. Më 1896-1900, u vu në krye të luftës së popullit shqiptar për autonominë e Shqipërisë dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit. Udhëhoqi qëndresën e armatosur popullore që shpërtheu në Kosovë në vitin 1897 dhe themeloi “Besëlidhjen shqiptare”(1897). Në bashkëpunim me “Komitetin Shqiptar të Stambollit”, të kryesuar nga Sami Frashëri dhe atdhetarë të tjerë brenda dhe jashtë atdheut, Haxhi Zeka organizoi Kuvendin e Pejës më 23-29 janar 1899, nga e cila u themelua “Lidhja Shqiptare e Pejës”. Haxhi Zeka u zgjodh kryetar i komitetit të saj.
Në vitin 1878, si rezultat i qëndrimeve dhe detyrave të dala nga punimet e “Lidhjes së Prizrenit”, po atë vit, krahas shkollës shqipe në Prizren, Haxhi Zeka me iniciativë dhe vetëfinancim hap shkollën shqipe edhe në Pejë. Këtë shkollë fillimisht, ky personalitet e vendos në “sarajet e veta – tani kulla e Jashar Pashës” në Pejë. Pas mbajtjes së kuvendit mbarëjithshqiptarë të lidhjes së Pejës “Besa – Besë” në vitin 1899, e me qëllim të legalizimit dhe zgjerimit të saj, shkolla transferohet në objektin e “Shkollës së Vogël” afër hamamit të vjetër të qytetit dhe “Hamam Xhamisë”, ku edhe është mbajtur mbledhja plenare e Kuvendit të Pejës “Besa – Besë”.
Mësimet në shkollën e parë shqipe me shtatë nxënës, i ka mbajtur vetë Haxhi Zeka. Pas vrasjes së tij në vitin 1902, kjo shkollë pushoi së ekzistuari. Në këtë shkollë të Haxhi Zekës, nuk predikohej feja por atdhetarizmi dhe “shkrimi e këndimi”, siç emërtohej në atë kohë, që nënkuptonte mësimin si të shkruhej dhe të lexohej në gjuhën shqipe dhe me alfabetin shqip.
Programi i kësaj shkolle bazohej në programin e patriotëve shqiptarë të vitit 1868, të cilët ishin tubuar në qendër të perandorisë, në Stamboll, dhe vendosën: “Duhet ta shkruajmë gjuhën shqipe, duhet të zgjedhim ato germa që përcjellin tingullin më lehtë, tingullin e bukur të gjuhës sonë. Dhe, gërmat të jenë shqip!”. Për këtë arsye, Sami Frashëri shkruan: “S’mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë, s’mund të ketë shqiptarë pa gjuhë shqipe, s’mund të ketë gjuhë shqipe pa shkolla në të cilat mësohet shqipja”. Shkollë shqipe, historikisht kishte edhe në kuadër të kishës katolike në Pejë, që që nga themelimi i besimit katolik.
Haxhi Zeka në kohën kur ka jetuar dhe vepruar ka qenë ndër personalitetet, që ka investuar në fillet e industrializimit të vendit. Mulliri i Haxhi Zekës është mulliri i parë në rajon, teknologjia e të cilit është sjellë nga Austria. Mulliri i Haxhi Zekës është kompleks i madh i trashëgimisë industriale i cili i takon pjesës së dytë të shekullit të XIX, i ndërtuar me ndihmën e austro-hungarezëve. Ndërtesa përbëhet nga mulliri dhe hambari. Për kohën në të cilën u ndërtua ishte objekti më i lartë, i cili kishte tre kate. Fasada është nga guri i kombinuar, tulla, dritare harkore dhe korniza. Mulliri i Haxhi Zekës është mulliri i parë në Kosovë dhe rajon me teknologji të avancuar. Fillimisht, mulliri ka punuar me ujë, pastaj është përdorur energjia elektrike. Aty ka filluar ekonomia industriale në Pejë. Në të kaluarën i gjithë regjioni ka kryer shërbimet e bluarjes së drithit dhe prodhimit të miellit.
Pas vdekjes së Haxhi Zekës, udhëheqës u bë nipi i tij, Jashar Pasha. Në vitin 1997, u mor në mbrojtje nga shteti. Gjatë luftës së vitit 1998-1999, mulliri u dogj por u restauru dy herë: në vitin 2004 pjesa e mullirit dhe në vitin 2016 pjesa e hambarit.
Zekë Mehmet Byberi (Haxhi Zeka S.R), e mbylli jetën me dinjitet e nder pas një atentati në pabesi të plotë, i cili u realizua nga dora gjakatare e serbëve më 20 shkurt 1902, duke mbetur simbol i njeriut atdhedashës; i njeriut organizator; i njeriut që nuk kurseu asgjë për Atdhe e Popull; i njeriut të BESËS.
Për më shumë shih në:
https://en.wikipedia.org/wiki/Haxhi_Zeka
https://sq.wikipedia.org/wiki/Kompleksi_i_Mullirit_t%C3%AB_Haxhi_Zek%C3%ABs