Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar i Universitetit Haxhi Zeka, prof.dr. Edmond Beqiri, me homologen e tij nga Universiteti “Opole” në Poloni, prof.dr. Izabella Pisarek e mbajtën një takim zyrtar në këtë universitet të qytetit Opole të Polonisë.
Pas takimit u organizua ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit në mes dy institucioneve, duke përfshirë këtu: shkëmbimin e personelit akademik, projektet e përbashkëta të mobilitetit të studentëve, vazhdimit të projekteve me partnerë të përbashkët dhe shumë aktivitete tjera të ndërsjella.
Në ceremoninë e formalizimit të bashkëpunimit morën pjesë Dekani i Fakultetit të Biznesit, prof.asoc.dr. Halit Shabani dhe prof.dr. Ibish Mazreku. Vlen të theksohet se me Universitetin “Opole” tashmë UHZ ka një përvojë bashkëpunimi në kuadër të projektit evropian NAWA: “Studenti i diplomuar – i gatshëm për punësim”.