Në përkujtim dhe për nder të 25 vjetorit të rënies dëshmor të Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari, bashkë me 55 anëtarët e familjes së tij në Prekaz, të gjithë studentët dhe personeli i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, me respekt, nder e mirënjohje të thellë u përulet të gjithë të rënëve për liri. Epopeja e UÇK-së, përjetë do të jetë ngjarje e krenarisë sonë kombëtare! Beteja e familjes Jashari në krye me Komandantin Legjendar të saj Adem Jashari ishte mbinjerëzore. Ata nuk kursyen as jetën e vet që ne sot të gëzojmë lirinë, të punojmë dhe studiojmë me dinjitet për vendin tonë të dashur.
Muaji Mars
Për shumë vende muaji mars zakonisht shoqërohet me pranverën dhe lulet. Për vendin tonë, marsi historikisht na asocon në dhimbje, vuajtje dhe trishtim.
Sakrifica sublime e familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për liri është dhe do të mbetet akti me i thellë dhe më i fortë themeltar në lirinë e Kosovës dhe kombit tonë. Flijimi i tyre për ne dhe brezat që vijnë pas do të jenë shembull frymëzimi e motivimi për të ruajtur të paprekur lirinë, trojet dhe dinjitetin tonë kombëtar. Gjithashtu, në këtë ditë kujtojmë dhe ju përulemi të gjithë heronjve, të cilët si ushtarë të UÇK-së. Duke mos kursyer asgjë, ata i treguan botës se sa e shtrenjtë është liria dhe se për të nuk kursehet asgjë.
Sot, secili nga ne duhet të kujtojmë vetveten se në secilën nga 364 ditët e tjera të vitit duhet të punojmë fort. Puna duhet të bëhet me nder, menquri të pastër për ta forcuar shtetin tonë në krye me FSK-në. Këtë e kemi borxh ndaj të rënëve për liri, i cili borxh nuk paguhet ndryshe. Urojmë që kjo kauzë e heronjëve dhe luftës për liri të na ngulitet në kokë. Më pastaj të bëhet udhërrëfyes e abetare në arsim, shkencë, kulturë dhe punët tona të përditshme.
Kjo datë e rëndësishme për historinë dhe realitetin e sotëm është e rëndë për të gjithë ne. Tani po shënohet pa personalitetet me të rëndësishme të luftës e të paqes. Këta fatkeqësisht po mbahen padrejtësisht nën vargonjtë e qelive në Hagë në emër të një “drejtësie” të pa drejtë.
Lavdi Përjetësisht
Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, Lavdi Përjetësisht. Lavdi e përjetshme të gjithë trimave të lirisë, dëshmorëve dhe martirëve të luftës. Respekt i përhershëm e i pakusht për luftëtarët e lirisë, veteranët, invalidët dhe të burgosurit politik. Po ashtu, për të gjithë ata që kontribuan në lirinë që e gezojmë sot. E gëzofshim për jetë e mot!