Punëtoria e pestë e grupit të studentëve dhe mësimdhënësve të UHZ-së – kësaj radhe përmbyllëse në Poloni – Universitetin Opole

Punëtoria e pestë e grupit të studentëve dhe mësimdhënësve të UHZ-së – kësaj radhe përmbyllëse në Poloni – Universitetin Opole

PROJEKTI NAWA – 24.04.-29.04.2022 NË POLONI

PUNËTORIA E PESTË E GRUPIT TË STUDENTËVE DHE MËSIMDHËNËSVE TË UHZ-së – KËSAJ RADHE PËRMBYLLËSE NË POLONI – UNIVERSITETIN OPOLE

Projektit evropian “Studenti kompetent – i gatshëm për punësim”, i organizuar nga Instituti akademik i Polonisë NAWA dhe i mbështetur nga fondacionet evropiane për aktivitete akademike dhe shkencore, i ka pjesëmarrës pesë universitete evropiane: Universitetin “Haxhi Zeka”, Universitetin Leuven në Belgjikë, Universitetin “Tomas Bata” në Zlin të Republikës Çeke, Universitetin e Maltës dhe Universitetin e Opolës në Poloni.

Në secilin universitet janë përzgjedhur nga 9 studentë, pra gjithsej 45 studentë pjesëmarrës në projekt. Studentët e UHZ që marrin pjesë janë zgjedhur me konkurs të hapur, ngjashëm me studentët e katër universiteteve të tjera, pas aplikimit dhe intervistimit nga ekspertët e autorizuar të projektit NAWA.

NAWA projekti në të 5 Universitetet pjesëmarrëse organizon nga një Seminar-Punëtori një-javore në tema të ndryshme të lidhura me kompetencat e studentit të diplomuar:

  • Punëtoria e parë është mbajtur gjatë muajit shtator 2021 në Universitetin Haxhi Zeka.
  • Punëtoria e dytë është mbajtur gjatë muajit tetor në Universitetin Leuven në Belgjikë.
  • Punëtoria e tretë është mbajtur gjatë muajit shkurt të vitit 2022 në Universitetin Tomas Bata në Zlin të Republikës Çeke
  • Punëtoria e katërt është mbajtur gjatë muajit mars 2022 në Malta, Universitetin e Maltës.

Gjatë kësaj jave, nga data 24.04.2022 deri më 29.04.2022 profesorët e UHZ-së, prof.dr. Edmond Beqiri, prof.dr. Ibish Mazreku dhe prof.asoc.dr. Halit Shabani, së bashku me 7 nga 9 studentët të përzgjedhur për këtë projekt: Durim Selmonaj, Florlinda Berisha, Ajshe Komoni, Djellza Loci, Aulonë Cenaj, Malsore Duraku dhe Fjolla Halitaj morën pjesë në punëtorinë e pestë të Projektit NAWA, organizuar në Poloni, në Universitetin e Opoles. Tema kryesore ishte gjuha angleze në logjistikë dhe në biznes. Studentët e UHZ-së gjatë dy muajve paraprak i kanë vijuar online ligjëratat nga tema e gjuhës angleze në logjistikë dhe gjatë ditëve të punëtorive përforcuan njohuritë e tyre duke u përgatitur për testimin final duke pasur mundësinë të bashkëpunojnë me studentë të tjerë ndërkombëtarë të cilët ishin pjesëmarrës së bashku me ta, në të gjitha pjesët dhe segmentet e projektit. Studentët e UHZ-së, znj. Ajshe Komoni dhe z. Durim Selmonaj ishin ndër të përzgjedhurit e natës finale nga 5 universitet pjesëmarrëse dhe ata prezantuan në mënyrë maestrale përshtypjet e përmbledhura në të 5 punëtoritë në përmbylljen finale të projektit NAWA.

Gjatë këtyre ditëve në Universitetin Opole, prorektori prof.dr. Edmond Beqiri nënshkroi zyrtarisht marrëveshjen për vazhdimin e bashkëpunimit me prof.dr. Izabella Pisarek, Prorektoren në Universitetin Opole të Polonisë, gjë që hap rrugën për vazhdimin e Projektit NAWA 2 dhe bashkëpunimin në projekte evropiane të mobilitetit të mësimdhënësve dhe studentëve nga të dy universitetet nënshkruese.

Translate »