Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës u mbajt mbledhja e Konferencës së Rektorëve të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë në Kosovë.
Gjatë këtij takimi, rektorët e universiteteve publike zgjodhën njëzëri rektorin e Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Arben Hajrullahu, si kryesues të Konferencës së Rektorëve. Po ashtu, pa asnjë votë kundër apo abstenim, në pozitën e zëvendëskryesuesit u zgjodh Prof. Dr. Mentor Alishani, rektor i Universitetit të Prizrenit „Ukshin Hoti”.
Në fjalën e tij, rektori Hajrullahu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes universiteteve publike, duke kujtuar se Universiteti i Prishtinës është themeli prej të cilit kanë dalë universitetet tjera publike në qytetet e mëdha të Kosovës. Ai vuri në pah se qëllimi kryesor i takimeve të tilla është koordinimi i politikave për zhvillimin cilësor të arsimit të lartë.
Në këtë mbledhje morën pjesë edhe drejtuesit e tjerë të universiteteve publike, përfshirë:
- Prof. Dr. Armand Krasniqi, rektor i Universitetit të Pejës „Haxhi Zeka”;
- Prof. Dr. Agron Bajraktari, rektor i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj;
- Prof. Dr. Artan Dërmaku, rektor i Universitetit të Gjilanit „Kadri Zeka”;
- Prof. Dr. Drilon Bunjaku, rektor i Universitetit të Gjakovës „Fehmi Agani”;
- Prof. Dr. Mihane Kerolli, rektore e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë.
Mandati i rektorit Hajrullahu si kryesues i Konferencës së Rektorëve do të zgjasë një vit.
Konferenca e Rektorëve vepron në përputhje me udhëzimet administrative të nxjerra nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të cilat përcaktojnë punën, detyrat dhe përgjegjësitë e saj.