Menaxhmenti i Universitetit Haxhi Zeka në Pejë mbajti takim pune me përfaqësues nga Universiteti i Mitrovicës Isa Boletini. Të pranishëm ishin: Avdyl Beqiri – sekretar i përgjithshëm, Alban Fazliu – Zyrtar i lartë i QZHK-së, Arbesa Uka – asistente e zyrës për bashkëpunim ndërkombëtar, Elvedina Ismajli – zyrtare për bashkëpunim ndërkombëtar, dhe Ensar Rama – Zyrtar Ligjor.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi rreth mundësisë së bashkëpunimit akoma më të thellë ndërmjet të dyja universiteteve.
Diskutimi u shtrua mbi disa cështje. Rektori i UHZ-së, prof.dr Armand Krasniqi, e hapi diskutimin duke treguar për ecurinë e procesit të akreditimit, i cili rezultoi me vlerësimin më pozitiv të mundshëm. Pra, me akreditimin 5 vjecar të UHZ-së. Në lidhje me këtë edhe pala tjetër treguan detaje lidhur me këtë proces dhe vlerësimin që kanë marrë ata nga AKA-ja.
Rektori Krasniqi, po ashtu, ndau informacion lidhur me planin strategjik, raportin e vetëvlerësimit dhe universitetin veror. Në lidhje me dy të parat, përfaqësuesit e Universitetit të Mitrovicës kërkuan që UHZ t’i ndajë përvojat me ta. Ndërsa, sa i përket universitetit veror, ata shprehën interesimin e tyre për bashkëpunim duke pohuar se do të inkurajojnë studentët e tyre që të jenë pjesë e UNISUM-it. UNISUM-in ata e shohin si një mundësi mjaft pozitive që iu ofrohet studentëve vendor dhe ndërkombëtar.
Çka vlenë të theksohet është se Universiteti i Mitrovicës shprehu mirëseardhje për stafin e Fakultetit të Arteve të UHZ-së që të mbajnë ligjërata për studentët e atij universiteti.
Takime të tilla janë të nevojshme në mënyrë që bashkëpunimi ndërmjet universiteteve vendase të rritet. Gjithashtu, shkëmbimi i përvojave, stafit dhe studentëve janë të mirëseardhura për të krijuar një mjedis bashkëpunues.