Universiteti “Haxhi Zeka” priti dhe nderoi sot me titullin “Anëtar Nderi i Universitetit” një nga profesorët më eminentë dhe të përkushtuar për arsimin në Kosovë nga universiteti Linneaus në Suedi, Harald Niklasson, me motivacionin “Për kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë në ngritjen dhe zhvillimin e vazhdueshëm të kapaciteteve akademike dhe hulumtuese në institucionet e arsimit të lartë të Kosovës”
Rektori i Universitetit, prof.dr. Armand Krasniqi theksoi se Profesori Harald Niklasson është dhe do të mbetet mik i madh i Kosovës dhe i universitetit “Haxhi Zeka. Kontributi i tij filloi në vitet e 90-ta, atëherë kur mësimi organizohej në shtëpitë-shkolla të Universitetin të Prishtinës dhe gjendja e arsimit në vend e shtyu profesor Niklasson të ndërmarra hapa për të mbështetur institucionet e arsimit të lartë në Kosovë. “Kontributi i tij nuk mund të shpaguhet e ne do i jemi gjithmonë mirënjohës profesor Niklasson-it”, theksoi rektori Krasniqi.
Prorektori Beqiri duke ndarë eksperiencën e tij me profesorin Niklasson theksoi se profesori ka ndihmuar me dhjetra akademikë dhe studentët shqiptarë, duke u mundësuar vazhdimin e studimeve në Suedi, pa nevojë për procedura të njohjes së studimeve të arritura në Kosovë. Harald Niklasson është një ndër personat e rëndësishëm, i cili me tërë qenien e tij, ishte përkushtuar që të ndihmojë Kosovën duke kontribuuar në shkollimin e studentëve kosovarë në universitetin Linneaus në Suedi, por duke pranuar edhe profesorët në vizita studimore në universitetin suedez, theksoi ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari si një e diplomuar në universitetin e Waxjos dhe mike e madhe e profesorit Niklasson.
Në periudhën 2002-2005 dhe pastaj 2005-2008, Profesori Harald bashkëpunoi me Fakultetin e Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë, duke kontribuar në transformimin e Shkollës se Lartë Ekonomike, në Fakultet të Biznesit (sot universiteti “Haxhi Zeka”), jo vetëm me ekspertizën e tij, por edhe me shkollimin formal të stafit tonë akademik në nivelin Master dhe doktoraturë, me shpenzime plotesisht të mbuluara nga fondet e ndyshme evropiane. Të gjithë profesorët anglishtfoles të FSHAB në atë kohë paten mundësinë të shkonin në vizita studimore si mysafirë të profesorit Niklasson në universitetin shumë modern të Waxjos në Suedi.
Gjatë më shumë se 20 viteve, profesori Niklasson ishte nikoqir i më shumë se 50 studentëve kosovarë në nivelin Master dhe të doktoratës dhe poashtu mikpritës i disa dhjetra profesorëve nga Kosova, me të cilet u lidh aq fort, duke ia kushtuar pjesën më të madhe të vëmendjës se tij akademike në më shumë se 25 vitet e fundit të karrierës dhe jetës se tij. Universiteti “Haxhi Zeka” është shumë falenderues dhe mirënjohës për kontributin e Profesorit Harald Niklasson të dhënë për arsimimin dhe ngritjen e mësimëdhësve të Kosovës e në veçanti të Universitetit tonë.