UNIVERSITETI HAXHI ZEKA PERKUJTON HAXHI ZEKËN NË DITËN E LINDJES SË TIJ

UNIVERSITETI HAXHI ZEKA PERKUJTON HAXHI ZEKËN NË DITËN E LINDJES SË TIJ

Universiteti Haxhi Zeka përkujton me nderim dhe respekt të thellë figurën madhështore të Haxhi Zekës, në ditën e ditëlindjes së tij. Në këtë ditë simbolike, përfaqësuesit e menaxhmentit të universitetit realizuan një vizitë te varri dhe monumenti i tij, duke vendosur kurora lulesh si shenjë mirënjohjeje dhe përkujtimi për veprën e tij të ndritur.

Haxhi Zeka, një nga figurat më të shquara të historisë shqiptare, lindi më 20 dhjetor 1832 mbetet frymëzim për brezat e rinj. Si një lider vizionar dhe patriot i përkushtuar, ai luajti një rol thelbësor në lëvizjet kombëtare për pavarësi dhe avancim shoqëror. Angazhimi i tij për orientime perëndimore dhe përpjekjet për të sjellë frymën e modernizimit në shoqërinë shqiptare janë dëshmi e largpamësisë dhe dashurisë së tij për atdheun. Përmes aktiviteteve dhe vizionit të tij, Haxhi Zeka përpiqej të lidhte vendin me vlerat e Evropës, duke promovuar bashkëpunimin, zhvillimin ekonomik dhe kulturor.

Kjo vizitë përkujtuese është dëshmi e përkushtimit të Universitetit Haxhi Zeka për të lidhur edukimin me vlerat kombëtare dhe historike, duke mishëruar thelbin e emrit që mban institucioni ynë. Emri i Haxhi Zekës, simbol i vizionit, përkushtimit dhe orientimeve perëndimore, na frymëzon që, përmes aktiviteteve të tilla, të promovojmë vlera që fuqizojnë studentët dhe komunitetin për të ndjekur rrugën e ndritur të trashëgimisë sonë kombëtare dhe për të ndërtuar një të ardhme të bazuar në arsim, zhvillim dhe progres shoqëror.

Translate »