Krahas procesit mësimor, studentët e UHZ-së organizohen dhe zhvillojnë aktivitete të ndryshme sociale, edukative, kulturore, sportive e argëtuese. Këto aktivitete shërbejnë për të harmonizuar jetën akademike me atë sociale, rrisin cilësinë e jetës studentore e promovojnë vlera si: vullnetarizmi, bashkëpunimi, respekti reciprok, shkëmbimi i eksperiencave, uniteti, etj. Programet jashtëshkollore ju lejojnë të eksploroni interesat tuaja dhe të zbuloni pasionet tuaja, derisa jeni duke u përfshirë në komunitetin tuaj të shkollës. Përfshirja në këto klube ju jep mundësi të krijoni miqësi të reja, të njiheni me ide kreative, të pasuroni njohuritë tuaja si dhe të zbuloni ndonjë pasion apo talent që e keni.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve pranë UHZ-së janë themeluar dy klube të studentëve: Klubi i Debatit dhe Klubi i Gjuhëve të Huaja.