Profesori Fisnik Morina mbajti ligjëratë për Financat e Gjelbra me studentët e departamentit të Financave në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Mariborit. Qëllimi i kësaj ligjërate ishte të ofrojë një perspektivë të thelluar mbi rolin e financave të gjelbra në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe mjedisor. Ligjërata u prit me interes të madh nga studentët dhe stafi akademik, duke nxitur diskutime të vlefshme mbi integrimin e praktikave të qëndrueshme në menaxhimin financiar.
Përveç kësaj, gjatë Javës Ndërkombëtare të Shkencës, Profesori Fisnik Morina mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me temë “Challenges in the Turbulent Economic Environment and Organizations’ Sustainable Development”. Në këtë konferencë, ai prezantoi punimin shkencor me titull “Strategic Insights: How Environmental, Social, and Governance Factors Shape Portfolio Investments”, në bashkëautorësi me Ph.D. (cand.) Saimir Dinaj. Punimi trajton rëndësinë e faktorëve mjedisor, social dhe të qeverisjes në performancen e portofoliove investuese në tregjet financiare ndërkombëtare, duke ofruar një analizë të hollësishme dhe strategji të dobishme për investitorët dhe menaxherët financiarë.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm i vizitës së Profesorit Fisnik Morina ishte diskutimi mbi mundësitë e bashkëpunimit me Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Mariborit për të ndihmuar në integrimin e lëndës së Financave të Gjelbra në kurrikulën e programeve studimore të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë. Ky bashkëpunim synon të pasurojë kurrikulën aktuale dhe të përgatisë studentët për sfidat dhe mundësitë që ofron ekonomia globale në ndryshim.