Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, Prof. Dr. Armand Krasniqi, sot ka pritur në një takim zyrtar Sekretarin e Ambasadës Gjermane, Christian Bottcher, i cili është përgjegjës për Kulturë dhe Media. Gjatë këtij takimi, Prof. Dr. Krasniqi e ka njoftuar mysafirin me historikun dhe arritjet e deritanishme të universitetit, duke theksuar edhe misionin e institucionit në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor. Nga ana tjetër, z. Bottcher ka shpalosur mundësitë e reja të bashkëpunimit ndërmjet Universitetit “Haxhi Zeka” dhe universiteteve gjermane. Ai ka theksuar rëndësinë e krijimit të marrëveshjeve konkrete që do të çojnë në bashkëpunime të frytshme në të ardhmen, me qëllim që këto marrëveshje të mos qëndrojnë vetëm në letër, por të zbatohen me sukses në praktikë. Ky takim hap rrugën për mundësi të reja bashkëpunimi që do të ndihmojnë në zhvillimin dhe avancimin e arsimit të lartë në Kosovë.