Universiteti “Haxhi Zeka” në periudhën fundit, ekskluzivisht në përputhje me nevojat e tregut, është angazhuar që të ndryshojë në pikëpamje cilësore si në fushën e burimeve njerëzore shkencore – akademike po ashtu edhe në dimensionin e rishikimit dhe formulimit të programeve studimore. Si rezultat i kësaj, nga ky vit akademik, në fakultetet e Universitetit “Haxhi Zeka”, si asnjëherë më parë, ofrojnë njëzet (20) programe të akredituara nga të cilat dhjetë (10) në nivelin bachelor dhe dhjetë (10) të tjera në nivelin master.
Duhet theksuar se Agjencia e Akreditimit të Republikës së Kosovës ka vendosur dhe zbaton kritere dhe standarde të larta për akreditim institucional e programor me anë të të cilit potencialisht u garantohet studentëve të ardhshëm që regjistrimi i një kursi, që kalon nëpër një proces të tillë akreditimi, i plotëson kushtet e standardet e duhura e të besueshme. Andaj, siguria e një programi të studimit në universitetin tonë me sigurinë më të lartë shpie në rritjen e besueshmërisë për studentët, punëdhënësit dhe publikun.
Kjo për shkak të përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së edukimit dhe përmbushjes së standardeve të përcaktuara nga organet e akreditimit. Nëpërmjet procesit të akreditimit, programet të cilat ofrohen garantojnë lehtësira për të transferuar kreditë në Institucionet e Arsimit të lartë si në vend ashtu edhe jashtë vendit. Gjithashtu, akreditimi i programeve tona siguron që studentët të kenë mundësi të përfitojnë më shumë nga mundësitë profesionale, pasi disa fusha kërkojnë diplomë të akredituar për licencim ose për punësim. Prandaj, zgjedhja e një programi të akredituar, qoftë të nivelit bachelor apo masterit, është e rëndësishme për suksesin dhe zhvillimin e karrierës së studentit në Universitetin “Haxhi Zeka”.
Universiteti “Haxhi Zeka”, përveç programeve të akredituara, i harmonizon ato brenda një kurrikule të integruar universitare. Kjo e mundëson studentëve, nëpërmjet mobilitetit të brendshëm, të përshtasë me 40% përmbajtjen e diplomës së tyre. Kështu ata kanë mundësinë të përshtaten me nevojat aktuale dhe të ardhshme të tregut të punës, duke krijuar një diplomë të personalizuar që reflekton qartë aftësitë dhe kompetencat e tyre.
Universiteti “Haxhi Zeka” dhe ekipi i tij akademik dhe administrativ sigurojnë përkushtimin e tyre në zbatimin e kritereve dhe metodave të bashkëkohore të mësimdhënies dhe angazhimit për të siguruar suksesin e studentëve në të ardhmen.