Në vazhdë të aktiviteteve të shumta të organizuara nga universiteti “Haxhi Zeka’ në Pejë është duke u punuar edhe në organizimin e konferencës së dytë të Forumit Ekonomik Rajonal – Dukagjini, platformë e përbashkët e UHZ-së, komunës së Pejës, Deçanit, Junikut, Klinës, Istogut dhe Malishevës.
Në vazhdë të këtyre aktiviteteve rektori i UHZ-së, prof.dr. Armand Krasniqi dhe përfaqësues të këtij institucioni vizituan komunën e Junikut ku u pritën nga kryetari z. Rruzhdi Shehu dhe drejtorë të kësaj komune. Qëllimi i takimit ishte informimi i z. Shehu mbi produktet e dala nga konferenca e parë e FER-Dit, siç është hartëzimi i bizneseve në rajonin e Dukagjinit dhe mbështetja e komunës së Junikut në identifikimin e nevojave të bizneseve në këtë komunë.
Këta dy komponentë të rëndësishëm do të ndihmojnë universitetin “Haxhi Zeka” në drejtim të politikave dhe programeve të tij dhe komunat në hartimin e strategjive zhvillimore.
Gjithashtu, në takim u diskutua për përgatitjet e konferencës së dytë të Forumit Ekonomik Rajonal – Dukagjini. Rektori Krasniqi kërkoi nga kryetari, z. Shehu mbështetjen e institucionit që ai përfaqëson në organizimin e konferencës dhe nga ana tjetër, z. Shehu mbështeti iniciativën, përgëzoi UHZ-në për arritjet dhe u zotua se do të jemi të gjithë bashkë për të realizuar këtë projekt të rëndësishëm për rajonin.