Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në mbështetje të neneve 8, 10 dhe 11 të Ligjit Nr. 06 / L-113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura (Gazeta zyrtare Nr. 7/01 mars 2019), nenit 11 paragrafit 1.5 të Ligjit për Qeverinë e Republikës se Kosovës (Gazeta zyrtare Nr. 34/18 nëntor 2022), në mbështetje të nenit 4 paragrafit 1.7, nenit 8 dhe shtojcës 7 të Rregullores (QRK) nr. 14/2023 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive të datës 09.08.2023, nenit 32, paragrafit 4 të Ligjit Nr. 04/L-037 për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës të datës 14 shtator 2011, nenit 11 Udhëzimit Administrativ nr. 20/2023 të datës 04.08.2023 për Krijimin e Skemave për Mbështetje Financiare të Studentëve për Ndarjen e Bursave dhe Vendimit Nr. 01B-194 të datës 30.10.2024, nxjerrë:
Thirrja synon ta mbështesë shkollimin e studenteve vajza/gra që studiojnë në nivelin baçelor në institucionet publike të arsimit të lartë në Kosovë në programet e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (apo ndryshe të njohura si STEM në gjuhën angleze), në vlerë prej 1000 (njëmijë) EUR/për vit për studente.
PËRSHTATSHMËRIA E KANDIDATEVE PËR APLIKIM
Të drejtë aplikimi kanë të gjitha studentet vajza/gra të nivelit baçelor që regjistrohen në një nga programet e fushave STEM në institucionet publike të arsimit të lartë në Kosovë. Përparësi kanë kandidatet që kanë përfunduar me sukses vitin paraprak dhe kandidatet që kanë regjistruar për herë të parë vitin akademik 2024-2025.
Në këtë thirrje inkurajohen që të aplikojnë studentet nga komunitetet jo-shumicë, ato me aftësi të kufizuar dhe ato që vijnë nga zonat rurale.
Kushtet dhe kriteret për aplikim
- Të jenë shtetase të Republikës së Kosovës;
- Të kenë të përfunduar shkollimin e mesëm në njërën nga shkollat e mesme të larta të Republikës së Kosovës;
- Të kenë të regjistruar vitin akademik për herë të parë;
- Të kenë të përfunduar me sukses vitin paraprak, me notë mesatare së paku 8 (vlenë për studentet të cilat kanë përfunduar vitin e parë (1) dhe të dytë (2) të studimeve;
- Nota mesatare nuk aplikohet gjatë vlerësimit për studentet me aftësi të kufizuara dhe ato mund të përfitojnë bursë brenda dyfishit të afatit të rregullt të studimeve të parapara me legjislacion në fuqi, varësisht nga kohëzgjatja e programit;
- Të drejtë aplikimi kanë vetëm studentet e nivelit baçelor;
- Të drejtë aplikimi kanë vetëm studentet në studime të rregullta;
- Të drejtë aplikimi nuk kanë studentet të cilët e kanë përsëritur ndonjë vit të studimit;
- Të kenë llogari bankare personale (në emër të aplikueses) dhe aktive, në njërën nga Bankat e Republikës të Kosovës;
- Studentet të cilat kanë përfituar nga skema për mbështetje financiare në vitin akademik 2021/2022, 2022/2023 dhe 2023/2024 si studente të regjistruara për herë të parë dhe këtë vit kanë ndërruar programin e studimit, nuk kanë të drejtë të përfitojnë nga kjo skemë;
- Nuk kanë të drejtë aplikimi studentet të cilat kanë përfituar nga skemat për mbështetje financiare nga MASHTI për vitin akademik 2024/2025.
PROCESI I APLIKIMIT
Procesi i aplikimit do të realizohet online përmes platformës E-Kosova.
Për të aplikuar, kandidatët duhet të plotësojnë këtë dokumentacion:
- Skanimi dhe ngarkimi i letërnjoftimit;
- Dëshmia/vërtetimi i pranimit të aplikueseve në një nga programet STEM të universitetit përkatës;
- Fletëregjistrimi nga institucioni i arsimit të lartë publik;
- Diploma e shkollës së mesme të lartë (vlenë vetëm për studentet e regjistruara për herë të parë në universitetet publike);
- Pasqyra e notave (vlenë vetëm për studentet e vitit 2 dhe 3);
- Nëse aplikohet, formulari i vetëdeklarimit të përkatsisë etnike (për komunitetet jo-shumicë);
- Skanimi dhe ngarkimi i konfirmimit për llogarinë bankare personale aktive;
- Nëse aplikohet, për personat me aftësi të kufizuara sipas kushteve dhe kritereve për aplikim të ngarkojnë dëshmitë relevante të lëshuara nga organet kompetente përkatëse.
Forma dhe procedurat e aplikimit:
Aplikimi bëhet përmes platformës e- Kosova në këtë link: https://ekosova.rks-gov.net/435
Aplikacionet e pakompletuara refuzohen në fazën e parë të vlerësimit teknik.
Konkursi është i hapur nga 15.11.2024 deri më 30.11.2024.