Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë dhe Programi “Arsimi i Lartë dhe Hulumtimi i Qëndrueshëm” (SHER) kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi, hap i rëndësishëm drejt avancimit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në universitetin “Haxhi Zeka”.
Memorandum, i nënshkruar nga Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi, dhe Udhëheqësi i Programit SHER, z. Aqim Emurli. Programi SHER – “Arsimi i Lartë dhe Kërkimi i Qëndrueshëm” në Kosovë synon të kontribuojë në sektorin të arsimit të lartë dhe kërkimit të qëndrueshëm, të bazuar në prova, të orientuar nga nevojat dhe të përgjegjshëm ndaj gjinisë në Kosovë, që është në përputhje me parimet e EHEA, ERA dhe SDG. 4 dhe 9.
Ceremonia u zhvillua në një atmosferë bashkëpunimi dhe përkushtimi të ndërsjellë për të arritur qëllimet e përbashkëta, të cilat do të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e qëndrueshëm të arsimit dhe hulumtimit shkencor në universitetin “Haxhi Zeka’. Rektori Krasniqi e falenderoj z. Emurli dhe ekipin e tij për kontributin e deritanishëm për universitetin “Haxhi Zeka” dhe shprehu bindjen se i njejti do të vazhdojë edhe për të ardhmen.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar UHZ do të përfitojë në:
• Mbështetje në procesin e rishikimit të statutit të UHZ-së;
• Harmonizim të rregulloreve ekzistuese me statutin e ri dhe nëse është e nevojshme, mbështetjen e zhvillimit të rregulloreve të reja;
• Lehtësim në përgatitjen dhe zbatimin e financimit të bazuar në performancë ndërmjet universitetit dhe MASHTI-t;
• Realizim të ngjarjeve, seminareve dhe aktiviteteve për ngritjen e kapaciteteve në lidhje me ndërkombëtarizimin, sigurimin e cilësisë, barazinë dhe përfshirjen gjinore, mësimdhënien, kërkimin dhe misionin e tretë.
Programi SHER financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) me fonde të Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim (ADC), dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Republikës së Kosovës (MASHTI). SHER implementohet nga një konzorcium austriak me përvojë, përfaqësuar nga Shërbimi Botëror i Universitetit të Austrisë (WUS Austria) si udhëheqës i konzorciumit, duke përfshirë Qendrën për Inovacionin Social (ZSI) si dhe Agjencinë Austriake për Arsim dhe Ndërkombëtarizim (OeAD).