Lajmi i publikuar në gazetën ”Zëri”, dje dhe sot (04-05 mars 2015), më pas edhe në mediumet tjera, janë informata të cilat nuk kanë të bëjnë aspak me Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.
Periudhën të cilën po flitet është ajo e viteve 1999-2004, kur dihet se në këtë periudhë nuk ka qenë i themeluar fare Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, i cili është themeluar 14.11.2011. Përdorimi i emrit të Universitetit “Haxhi Zeka”, është pasaktësi dhe presim nga mediumet të cilat kanë publikuar këtë lajm, që të sqarojnë dhe informojnë saktë opinionin për këtë gjë dhe të mos njollosin punën dhe suksesin që ka bërë dhe po bënë ky institucion. Për këtë flasin raportet e ndryshme ndërkombëtare dhe ato vendore të cilat mund ta verifikojnë këtë gjë.
Përmendja e emrit të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, dëmton në masë imazhin e këtij institucioni.
Periudha e viteve 1999-2004, i takon Fakultetit të Shkencave të Aplikuara të Biznesit, fakultet ky i cili ka qenë nën menaxhimin e Universiteti të Prishtinës. E gjithë kjo thuhet për informim korrekt dhe respektim të kodit të etikës së gazetarisë.
Duke ditur që rasti është nën hetim para shumë viteve (që nënkupton para themelimit të universitetit), UHZ mbështet këtë proces, përkundër faktit që nuk është përgjegjës për atë aferë. Fjalën e fundit duhet ta jep drejtësia, jo mediat, jo “analistët” dhe presim që sa më parë, prokuroria të dalë me një komunikatë sqaruese lidhur me rastin.