Me ftesën e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Splitit, delegacioni i Universitetit “Haxhi Zeka” Pejë, i përbërë nga Rektori prof.dr. Armand Krasniqi, Dekani i Fakultetit të Biznesit prof.dr. Halit Shabani, i ngarkuar me koordinimin e programit të doktoratës prof.dr. Ibish Mazreku, dhe Sami Gjuka, po qëndrojnë në këtë institucion të lartë kroat nga e hëna e kësaj jave. Qëllimi i vizitës është konkretizimi i veprimeve për përgatitjen e fazës së fundit të procesit të studimeve të doktoratës.
Gjatë vizitës, deri me tani, u zhvillua një analizë e gjerë mbi punën dhe aktivitetet e deritanishme të programit të doktoratës, i cili është në proceset e akreditimit. U identifikuan dhe u rënditën detyrat e tjera që duhet të përmbushen për vlerësimin dhe akreditimin përfundimtar. Bazuar në parimet e partneritetit të ndërsjellë dhe asistencës reciproke, menaxhmenti i Fakultetit Ekonomik të Splitit ofroi një sërë aktesh dhe udhëzimesh të nevojshme për zbatimin e programit të doktoratës, i cili pritet të akreditohet në kuadër të Fakultetit të Biznesit në Pejë.
Personeli akademik, i administratës dhe studentët e Universitetit “Haxhi Zeka” njoftohen për këto zhvillime të rëndësishme duke vlerësuar se kjo vizitë punë shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e rrjetit të bashkëpunimeve ndërkombëtare të universitetit.
Po ashtu, gjatë takimeve u diskutuan modalitetet e reja të bashkëpunimit mes dy institucioneve, duke përfshirë edhe ratifikimin marrëveshjes të bashkëpunimit akademik, e cila me herët ishte dakorduar, dhe tani u nënshkrua nga të dy rektorët.
Ratifikimi i marrëveshjes ndëruniversitare dhe bashkëpunim i thelluar gjithësesi siguron një platformë të fortë për zhvillimin e arsimit të lartë dhe hulumtimit shkencor, duke hapur rrugë për më shumë mundësi dhe bashkëpunime të ardhshme mes dy institucioneve.