Dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin Haxhi Zeka (UHZ), së bashku me stafin akademik të Fakultetit Juridik, pritën në vizitë një delegacion nga Universiteti i Zagrebit në Kroaci. Delegacioni u drejtua nga Profesori Alan Uzelac, Drejtor i Klinikës Ligjore në Universitetin e Zagrebit.
Vizita studimore u realizua në kuadër të Projektit ENEMLOS: Klinikat ligjore në shërbim të grupeve të cenueshme: rritja e punësueshmërisë së studentëve të drejtësisë përmes arsimit praktik dhe kishte për qëllim këmbimin e përvojave ndërmjet profesorëve, studentëve nga Universiteti i Zagrebit në Kroaci dhe personelit akademik, studentëve të Fakultetit Juridik rreth funksionimit të klinikave reale ligjore.
Takimin e hapi Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Assoc. Dr. Avdullah Robaj dhe pastaj Prof. Assoc. Dr. Sabiha Shala prezantoi shkurtimisht punën e realizuar nga stafi akademik dhe studentët rreth krijimit, organizimit dhe funksionimit të Klinikës Ligjore pranë Fakultetit Juridik në UHZ.
Në këtë takim, delegacioni kroat njoftoi shkurtimisht stafin akademik për përvojat e tyre rreth krijimit dhe funksionimit të Klinikës Ligjore në Universitetin e Zagrebit.
Gjithashtu, delegacioni kroat vizitoi kampusin e Fakultetit Juridik në UHZ, duke përfshirë sallën e Klinikës Ligjore. Gjatë vizitës, studentët e pranishëm të Fakultetit Juridik të UHZ-së kishin mundësinë e shkëlqyer për të biseduar me studenten e Klinikës Ligjore të Universitetit të Zagrebit rreth sfidave dhe mënyrës së trajtimit të rasteve reale për ndihmë juridike falas nga klinikat ligjore.
Në fund të vizitës, stafi menaxherial i projektiti ENEMLOS nga të dy universitetët u dakorduan që do të vazhdojnë bashkëpunimin në të ardhmen për punën rreth Klinikave Ligjore.