Gjatë këtyre muajve, Universiteti “Haxhi Zeka” ka qenë i angazhuar intensivisht në përgatitjet për Konferencën e Dytë të Forumit Ekonomik Rajonal të Dukagjinit (FERD) “PERSPEKTIVA DHE STRATEGJITË PËR BASHKËPUNIM DHE ZHVILLIM TË QËNDRUESHËM RAJONAL NË EPOKËN E DIGJITALIZIMIT”. FERD-i është themeluar nga Universiteti “Haxhi Zeka” në bashkëpunim me komunat e Pejës, Klinës, Istogut, Deçanit, Junikut dhe Malishevës. Nga sot, pjesë e Forumit është bërë edhe Komuna e Gjakovës.
Rektori i UHZ-së, Prof. Dr. Armand Krasniqi, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, vizituan sot Komunën e Gjakovës, ku u pritën nga Kryetari, z. Ardian Gjini. Gjatë vizitës, Rektori Krasniqi prezantoi Universitetin “Haxhi Zeka” dhe qëllimin e themelimit të FERD-it, duke theksuar përfitimet e ndërsjella të këtij bashkëpunimi. Në vijim të këtij takimi, për të institucionalizuar bashkëpunimin, të dy drejtuesit e institucioneve nënshkruan një Marrëveshje Bashkëpunimi, e cila ka për objektiv kryesor promovimin dhe zhvillimin ekonomik, akademik dhe social të rajonit.
Kryetari Gjini falënderoi Rektorin për vizitën dhe shprehu gatishmërinë e tij për të mbështetur këtë iniciativë domethënëse, e cila rrit mundësitë e komunës që ai përfaqëson në realizimin e aktiviteteve që ndihmojnë zhvillimin ekonomik rajonal.