Një javë me koncerte artistike, e cila do mbetët në kujtesë të studentëve dhe profesorëve të Fakultetit të Arteve të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, u mbajt në Gjermani.
Më 24.06.19 studentët dhe profesorët e Fakultetit të Arteve, departamenti Instrumental pranë Universitetit “Haxhi Zeka” në Peja, mbërritën në Essen të Gjermanisë, për të filluar një javë të ngjeshur me aktivitetet kulturore. Të nesërmen me datë 25.06.19 studentët dhe profesorët mbajtën koncertin e parë në “Kirche Schmachtendorf” të qytetit të Oberhausenit, para një publiku të gjerë, pjesë e të cilit në shumicë ishte edhe publiku gjerman. Studentët u paraqitën në formacione muzikë dhome dhe ne fund orkestra përformoi nën dirigjimin e Prof. Asoc. Astrit Pallaska.
Veprat ishin kryesisht të kompozitorëve shqiptar, si B. Shehu, A. Krasniqi, P. Iturralde, R. Osmani, L. V. Guevara, M. Mazzini, Z. D. Abreu, M. D. Maso, D. Zymberi.
Veprat ishin të gjitha të përpunuara dhe të kompozuara në mënyrë të përsosur. Po ashtu vlen të theksohet se vepra Motus ishte kompozuar nga kompozitori Drinor Zymberi enkas për këtë koncert.
Orkestra e Fakultetit të Arteve nën dirigjimin e Prof. Asoc. Astrit Pallaska gjatë semestrit veror kishe punuar me përkushtim dhe me një program shumë të gjerë për tri koncertet e mbajtura në Gjermani.
Ky bashkëpunim ishte iniciuar nga profesori Arsim Kelmendi, i cili me ftesë të Symphonisches Blasorchester Essen (SBE) nën udhëheqjen e dirigjentit Desar Sulejmani, i mundësoi Fakultetit të Arteve për herë të dytë bashkëpunim me orkestrat e Gjermanisë.
Programi i mbajtur ishte një program voluminoz që kërkon përgjegjësi dhe përgatitje teknike nga instrumentistët. Orkestrës se Fakultetit të Arteve dhe orkestrës Symphonisches Blasorchester Essen ju bashkua dhe një pjesë e profesorëve të Fakultetit të Arteve si Prof. Asoc. Fatbardh Gashi, Dardan Gjinolli, Meriton Ferizi dhe Arsim Kelmendi.
Studentët dhe profesorët së bashku me orkestrën simfonike frymore të Essenit arritën me sukses të realizojnë programin që ishte jashtëzakonisht virtuoz në aspektin teknik dhe melodik, dhe atë duke ju falënderuar Dirigjentit Astrit Pallaska që kishte përgatitur orkestrën e Fakultetit nga Peja dhe Desar Sulejmanit që kishte bërë përgatitjen e orkestrës nga Esseni, formacion nga i cili u krijua dhe u arrit një numër prej afro 100 instrumentistësh, të cilët u shfaqën në dy koncerte, me 29.06.19 në St. Mariä Heimsuchung Essen -Überruhr dhe koncerti i dytë më 30.06.19 në ChorForum Essen. Vepra që u luajtën ishin : “March Op.99” Sergei Prokofieff, Arr. Paul Yoder, “March” Dmitri Shostakovic Arr. James Curnow, “Waltz No. 2” Dmitri Shostakovic Arr. James Curnow, “Galop” Dmitri Shostkovic transkriptuar nga Donald Hunsberger, “Concerto for Trombone” Nikolai Rimski – Korsakov, Arr. Mikhail Protsenko, Suita nga baleti “Gayaneh” Aramm Khachaturian, Arr. José Schyns dhe vepra e fundit ishte “Pictures at an Exhibition” Modeste Moussorgsky e transkriptuar nga Mark H. Hindsley.
Në fytyrat e studentëve dhe profesorëve vërehej një shkëlqim dhe një kënaqësi për paraqitjen dhe atë të suksesshme para publikut gjerman. Studentët dhe profesorët uruan që sa më parë ky koncert të realizohet edhe para publikut kosovar.
Dekani i Fakultetit te Arteve Prof. Asoc. Hysen Nimani ishte tejet i kënaqur me realizimin e këtyre koncerteve, duke pasur parasysh se bashkëpunimet e tilla i nevojiten këtij institucioni. Dekani falënderoi Universitetin “Haxhi Zeka” në krye me Rektorin Prof. Dr. Fadil Millaku, Komunen e Pejës në krye me Kryetarin z. Gazmend Muhaxheri dhe Drejtorin e Kulturës z. Engelbert Zefaj, për ndihmën e dhënë për realizimin e këtij udhëtimi.
Ky projekt solli edhe të mirat tjera, siç ishin edhe shoqërimi i studentëve më anëtarët e orkestrës, pasi që shumica e studentëve për një javë qëndruan mysafirë tek anëtarët e orkestrës. Duhet të cekim që korit të këtij Fakulteti i është bërë ftesë për koncertin e radhës në Gjermani për shtatorin e këtij viti.