Sot më 15.10. 2021 në Universitetin Haxhi Zeka në Pejë, u organizua ceremonia e mirëseardhjes për studentët e rinj të Fakultetit të Arteve. I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe rektori i Universitetit Prof. Dr. Armand Krasniqi.
Pas përshëndetjes hyrëse dekani i Fakultetit të Arteve Prof. Asoc. Hysen Nimani i’a dha fjalën Rektorit Prof. Dr. Armand Krasniqi.
Rektori Krasniqi foli me entuziazëm mbi të arriturat e Fakultetit të Arteve ndër vite dhe siguroi studentët e rinj që zgjedhja e tyre për të studiuar në këtë fakultet është e duhura. Rektori u zotua se së bashku me stafin akademik dhe administrativ do të jenë në shërbim të studentëve të këtij universitetit.
Profesorët dhe studentët e Fakultetit të Arteve për këtë ceremoni kishin përgatitur një pikë muzikore të prezantuar nga student Rexhep Karaqi klarinetist dhe koorepetitori në piano Besim Qorri. Ceremoninë e nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe profesorët e angazhuar nga Tirana.
Për të gjithë studentët, drejtori i IT-së në Universitetin “Haxhi Zeka” z. Adnan Lataj, informoi dhe udhëzoi studentët e rinj për përdorimin e Sistemit Elektronik për Menaxhimin e Studentëve (SEMS).
Dekani i Fakultetit Prof. Asoc. Hysen Nimani prezantoi planprogramin mësimor dhe orarin për lëndët përkatëse. Ai gjithashtu shpërndau për studentët e rinj broshurën me informatat e duhura për ta në funksion të planprogamit mësimor.
Urime dhe suksese të gjithë studentëve të Fakultetit të Arteve në UHZ!