Në Fakultetin Juridik u mbajt trajnimi “Ndërmjetësimi si Zgjidhje Alternative e Kontesteve“
Fakulteti Juridik i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, në bashkëpunim me Programin e USAID-it për Drejtësi Komerciale, organizuan trajnimin “Ndërmjetësimi si Zgjidhje Alternative e Kontesteve“. Trajnimi një ditor u mbajt me 18 Maj, 2020, dhe pjesëmarrës ishin studentët e të gjitha njësive akademike të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë.
Prof. Asoc. Dr. Sabiha Shala – Prorektore për Mësimdhënie, Çështje Studentore dhe Hulumtime Shkencore dhe Prof. Ass. Dr. Orhan Çeku – Prodekan për Çështje Financiare në Fakultetin Juridik, e falënderuan USAID-in për përkrahjen e vazhdueshme që po i japin Kosovës në shumë fusha më interes vital, sidomos në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit.
Znj. Hasije Abdullahu – Hajdini nga programi për drejtësi komerciale në USAID Kosovë, theksoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit me Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë. Pjesë e organizimit të trajnimit nga USAID ishte edhe znj. Arjetë Mazreku.
Ligjërues në trajnim ishin Dr. Sc. Isuf Jahmurataj – ndërmjetësues i licencuar, i cili njëkohësisht është mësimdhënës i angazhuar në fakultetin Juridik në UHZ, dhe znj. Nora Dobruna ndërmjetësuese e licencuar.
Trajnimi ngjalli interesim të madh të studentëve të cilët parashtruan pyetje të shumta dhe u ndanë të kënaqur me ligjërim.
Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, është i përkushtuar në rritjen e standardeve të cilësisë, mësimdhënies dhe mësim nxënies, për një Universitet modern dhe me kualitete.