Në vazhdën e lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me Komunat e rajonit, u nënshkrua marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Universitetit Haxhi Zeka në Pejë (UHZ) dhe Komunës së Malishevës. Për këtë qëllim, Rektori i UHZ-së, Prof.dr. Armand Krasniqi së bashku me përfaqësues të UHZ-së pritën në takim Kryetarin e Komunës së Malishevës, Z. Ekrem Kastrati. Ky i fundit u shoqërua nga përfaqësues të kësaj Komune.
Fokusi i diskutimit në takim ishte bashkëpunimi i UHZ-së me Komunën e Malishevës lidhur me projektin e krijimit të Forumit të Zhvillimit Ekonomik Rajonal. Rektori Krasniqi bëri të qartë rëndësinë e Forumit në ngritjen e kapaciteteve për shkrim të projekteve ndërkombëtare. Një gjë e tillë ka për qëllim rritjen e mundësive të zhvillimit rajonal përmes aplikimeve me projekte të tilla.
Në anën tjetër, Kryetari Kastrati e vlerësoi lart punën dhe angazhimin e UHZ-së në krijimin e një Forumi të tillë. Po ashtu, u shpreh i gatshëm që Komuna të cilën ai udhëheq të jetë një ndër bashkëpunëtorët në këtë projekt.