Sot, Universiteti “Haxhi Zeka” mirëpriti një delegacion nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, të kryesuar nga z. Olivier Boudar, shef i sektorit për bujqësi, mjedis dhe zhvillim rural. Delegacioni u prit nga rektori i Universitetit, Prof. Dr. Armand Krasniqi dhe bashkëpunëtorë të tij.
Vizita e delegacionit të BE-së kishte për qëllim njohjen nga afër me zhvillimet aktuale në Universitetin “Haxhi Zeka”, duke përfshirë programet akademike, projektet në zbatim dhe sfidat me të cilat përballet universiteti në rrugën e tij drejt rritjes dhe përmirësimit të cilësisë së arsimit të lartë. Gjatë takimit, delegacioni u informua për përpjekjet e universitetit për të avancuar ofertën e tij akademike, veçanërisht në fushat e mjedisit, agrobiznesit dhe turizmit, duke u përpjekur të jetë në harmoni me nevojat e tregut të punës dhe zhvillimet globale.
Rektori Krasniqi, në emër të universitetit, shprehu mirënjohjen e tij të thellë për mbështetjen e vazhdueshme që Bashkimi Evropian ka ofruar dhe vazhdon të ofrojë për institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e kësaj mbështetjeje në proceset e modernizimit dhe ndërkombëtarizimit të UHZ-së. Ai theksoi se bashkëpunimi me BE-në ka luajtur një rol kyç në fuqizimin e kapaciteteve të universitetit, si dhe në krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik në fusha të ndryshme studimore dhe bashkëpunimin me universitete nga Bashkimi Europian.