Me kënaqësi ju informojmë se stafi akademik nga Fakulteti i Biznesit i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, përbërë nga Prof. Dr. Halit Shabani, Prof. Asoc. Dr. Fisnik Morina, Prof. Ass. Dr. Elvis Elezaj dhe Prof. Ass. Dr. Valdrin Misiri, janë duke marrë pjesë në një mobilitet studimor në Fakultetin Ekonomik dhe të Turizmit në Universitetin e Pullës “Juraj Dobrila” Kroaci. Ky mobilitet, i cili është duke u zhvilluar në datat 07 deri më 12 tetor 2024, është pjesë e programeve të shkëmbimit dhe bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve dhe është financuar nga UHZ.
Gjatë kësaj periudhe, profesorët do të angazhohen në aktivitete të shumta akademike, përfshirë seminare, leksione të përbashkëta, dhe punëtori me stafin akademik të Universitetit të Pullës. Gjithashtu, do të zhvillohen takime për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit në projekte kërkimore ndërkombëtare, si dhe për të forcuar partneritetet ekzistuese ndërmjet institucioneve. Pjesë e këtyre aktiviteteve do të jenë diskutimet rreth programit të doktoratës Biznes dhe Ekonomi dhe projekteve aplikative për inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Ky mobilitet synon të përmirësojë përvojat akademike dhe profesionale të stafit, duke ndihmuar në krijimin e mundësive të reja për studentët dhe duke kontribuar në ndërkombëtarizimin e universiteteve pjesëmarrëse.