Rektori i UHZ prof.dr. Armand Krasniqi bashkë me zyrtarët e OJQ “Syri Vizion”, Dukagjin Nishiqi dhe Qenan Bardhaj u takua me udhëheqësit e projektit të BE-së “ALLED 2”, Znj. Efka Heder dhe Z. Anton Gojani. Në takim morën pjesë edhe dekani i FMTHM prof.asoc.dr. Adem Dreshaj, këshilltari i rektorit Dr.sc. Driton Sylqa dhe drejtori i zyrës për zhvillim të karrierës MA. Abedin Selimaj.
Qëllimi i takimit ishte informimi lidhur me aplikimin e përbashkët të UHZ dhe “Syri i Vizionit” për projekte ndërkombëtare që mbështesin programe profesionale në fushën e turizmit malor, të cilat krijojnë ndërlidhje mes kualifikimeve të sistemit të arsimit të lartë dhe aftësimit për tregun e punës. Me informacionet e marra do të iniciohet procesi i konkretizimit të programit profesional “udhërrëfyes turistik” në kuadër të nivelit 5 të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve (KKK). Programi do të ketë kredi të caktuara, të cilat do të njihen nga universitetit për të vazhduar nivelin shkencor për studentët e interesuar.
Znj. Heder dhe Z.Gojani ishin tepër të qartë dhe mjaft konstruktivë në qasjen e tyre pozitive për të përkrahur institucionin tonë në arritjen e objektiv strategjik, që është profilizimi i universitetit dhe programeve të tij. Në këtë frymë, ata morën përsipër organizimin e një takimi virtual të përbashkët me Universitetin e Zarës, i cili është i specializuar dhe me traditë për programe turistike, për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit dhe përfitimit reciprok të të dy institucioneve. UHZ tashmë ka përfituar nga projekti ALLED 2 lidhur me përgatitjen e shtojcës së diplomës për të gjitha programet e akredituara të UHZ-së. Rektori Krasniqi vlerësoj kontributin e projektit ALLED 2 dhe iu shprehu mirënjohje zyrtarëve për përkrahjen profesionale në kuadër të avancimit të proceseve akademike të Universitetit “Haxhi Zeka”.