Në Ditën Ndërkombëtare të Studentëve, që shënohet çdo 17 nëntor, si simbolikë e luftës permanente për edukim në kushte të lirisë, Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Armand Krasniqi ka kujtuar këtë datë si përpjekje ndër vite të brezave të studentëve tanë për arsimim shqip.
Roli i studentëve në çdo shoqëri është i madh, sidomos në ndryshimet shoqërore e politike. Një rol të tillë kanë luajtur edhe studentët shqiptarë në periudhat e ndryshme nëpërmjet organizimeve dhe aksioneve të tyre kundërshtuese ndaj shtypjes dhe represionit. Në vitet 90-ta, studentët në shenjë pakënaqësie ndaj regjimit të Milosheviçit, kur u larguan nga objektet universitare vërshuan rrugëve të kryeqytetit për të kërkuar kushte të barabarta me studentët e tjerë. Rol qendror studentët kanë pasur edhe në luftën e UÇK-së, duke iu bashkuar karvanit të luftës për fitore ndaj regjimit serb.
Prandaj, le të shërbejë ky si udhërrëfyes për studentët e rinj, duke kujtuar sakrificën dhe mundin që studentët kanë kaluar në të kaluarën, u shpreh Rektori Krasniqi, duke shtuar se tani, Universitetet tona ofrojnë kushte të mirë dhe të barabarta me ato në rajon dhe me gjerë. Universiteti “Haxhi Zeka”, në pejë nuk do të ndalet së rrituri kualitetin e edukimit, duke ndjekur misionin fisnik dhe objektivat për një universitet që do të kap standardet ndërkombëtare për cilësi.
Duke uruar studentët për këtë festë, rektori Krasniqi, kërkon nga studentët që asnjëherë mos t’i ndahen rrugës së dijes, rrugës që në aspektin personal do t’iu sjell prosperitet dhe dije, ndërsa në aspektin e përgjithshëm atdhedashuri dhe vetëdije më të lartë shoqërore.
Kjo datë, duke marrë shkas nëntorin e vitit 1939, kur forcat naziste shtypën dhe ekzekutuan pa gjyq disa nga kryengritësit studentë të Pragës së Çekosllovakisë, u bo sinonim i të gjithë studentëve në mbarë botën, që të ndjekin ëndrrën e tyre për dije në kushte lirie.