Rektori i Universitetit Haxhi Zeka në Pejë (UHZ), prof.dr. Armand Krasniqi, pati takim me zëvendës kryetaren për Zhvillimin e Hulumtimit nga Departamenti i Mjekësisë në Universitetin e Kolumbisë, Jaime S. Rubin, Ph.D. Në takim morën pjesë edhe prorektorja për Buxhet, Financa dhe Infrastrukturë, prof.ass.dr. Vjosa Hajdari, profesoresha e Fakultetit të Biznesit, prof.ass.dr. Vlora Berisha, dhe përfaqësuesja nga MASHTI, znj. Qamile Sinanaj.
Në kuadër të këtij takimi të rëndësishëm, u bisedua për një gamë të gjerë çështjesh, duke përfshirë veçanërisht temën e kurrikulës së integruar. Znj. Rubin shprehu gatishmërinë e saj të ndihmojë dhe të mbështesë UHZ-në në zhvillimin e trajnimeve të nevojshme për të përmirësuar njohuritë lidhur me kurrikulën e integruar.
Në anën tjetër, u diskutua edhe për Qendrën e Ekselencës së UHZ-së, duke veçuar rëndësinë e etikës në realizimin e hulumtimeve shkencore. Gjithashtu, u theksua ndihma dhe bashkëpunimi që do të ofrohet për UHZ-në në këtë drejtim, përkatësisht për trajnimet që do të organizohen për etikën në kërkim shkencor.