Rektori i Universitetit Haxhi Zeka në Pejë (UHZ), prof.dr. Armand Krasniqi, u prit sot në takim nga Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), znj. Arbërie Nagavci. Në takim u diskutua për rritjen e mëtejme të cilësisë së mësimdhënies. Gjithashtu, për zhvillimin e kurrikulës së integruar interne universitare. U përmend edhe fusha e digjitalizimit në përpjekje për të siguruar standardet më të larta në arsimin e lartë.
Ky takim u zhvillua në një klimë konstruktive dhe me një bazë bashkëpunimi reciprok midis ministrisë dhe universitetit. Ministrja Nagavci theksoi rëndësinë e nxitjes së aktiviteteve të ndërmarrësisë në mesin e studentëve. Kjo shihet si një prej mënyrave për të nxitur krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Ajo vuri në dukje se edhe infrastruktura e duhur universitare luan një rol kyç në sigurimin e mjedisit optimal për studentët dhe stafin akademik.
Bashkëpunimi Universitet – Ministri për standarde të larta në arsimin e lartë
Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua rolit të Universitetit Haxhi Zeka në zhvillimin e Forumit Ekonomik Rajonal. Ky forum ka si synim të promovojë bashkëpunimin dhe konkurrencën e shëndetshme ndërmjet institucioneve akademike. Po ashtu, të nxisë zhvillimin e sektorëve të misionit të dytë dhe të tretë universitar.
Ndër të tjera, u diskutua rëndësia e digjitalizimit dhe hapat që duhen ndërmarrë në këtë fushë për të përmirësuar përvojën arsimore. Po ashtu, mënyrën e mësimdhënies dhe mësimnxënies në institucionet e arsimit të lartë në vend.
Rektori Krasniqi e informoi ministren Nagavci mbi ndryshimet që janë duke u bërë në statutin e Universitetit Haxhi Zeka. U theksua se janë bërë përpjekje maksimale për të përmbushur rregullat mbi strukturën, organizimin dhe funksionimin e UHZ-së. Punë kjo që u realizua përmes standardeve më të larta.
Ministrja Nagavci dhe rektori Krasniqi u pajtuan për një bashkëpunim të vazhdueshëm në sektorin e arsimit të lartë. Synimi i përbashkët është të kujdesen që të ruajnë standarde të larta të mësimdhënies edhe në të ardhmen. Ata janë të vendosur të japin kontributin e tyre në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të vendit.