Menaxhmenti i UHZ-së në vazhdën e aktiviteteve për fuqizimin e Qendrës për Zhvillim të Karrierës dhe rritjes së koordinimit me të gjitha palët me interes për arsim, sot organizoi një drekë pune me drejtorët e drejtorive komunale për arsim në rajonin e Dukagjinit.
Menaxhmenti i UHZ-së është i bindur se vetëm me koordinim të të gjithë akterëve të arsimit do të jetë i mundur fuqizimi i ofertës programore në UHZ dhe rrjetëzimit me qendrat për zhvillim të karrierës së shkollave të mesme në rajon. Kjo do të mundësojë jo vetëm lehtësimin e tranzicionit nga shkolla e mesme në arsimin e lartë për të gjithë të interesuarit, por gjithashtu do të rrisë mundësinë, interesin dhe dëshirën e tyre për orientim në karrierë të nxënësve. Ne fuqishëm besojmë se vetëm duke bashkëpunuar u ofrojmë mundësitë dhe zgjedhjet më të mira për rininë tonë dhe karrierën e tyre në Kosovë. Drejtorët e drejtorive komunale për arsim shprehën entuziazmin dhe gadishmërinë e tyre për bashkëpunim në këtë drejtim.