Në konferencën 7-të të Forumit të Rektorëve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor të mbajtur në datat 4-5 shtator 2023, pjesë e rendit të ditës ka qenë edhe votimi për anëtarësim në këtë Forum i Universitetit Haxhi Zeka në Pejë (UHZ). UHZ nga ky vit, me votat dhe besimin e përfaqësuesve të universiteteve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor bëhet pjesë e Forumit të Rektorëve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor.
I themeluar në vitin 2018, Forumi i Rektorëve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor përfshin 27 universitete nga rajoni dhe është i përkushtuar për të rritur bashkëpunimin mes universiteteve dhe për t’u bërë zëri i institucioneve akademike në rajon.
Forumi i Rektorëve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor është i përkushtuar për adresimin e çështjeve thelbësore, promovimin e politikave evropiane në arsimin e lartë dhe kërkimin brenda rajonit, shkëmbimin e praktikave më të mira, përgatitjen e projekteve të përbashkëta, unifikimin e legjislacionit, inkurajimin e shkëmbimit të personelit dhe studentëve, etj.
Ky forum synon të rrisë bashkëpunimin mes universiteteve dhe të përforcojë ndikimin e institucioneve akademike. Forumi është rezultat i procesit të Berlinit, i cili fokusohet në integrimin më efektiv të Evropës Juglindore.
Rektori i Universitetit Haxhi Zeka në Pejë, prof. dr. Armand Krasniqi, në emër të UHZ-së, shpreh falenderim ndaj anëtarëve të këtij Forumi për aprovimin e kërkesës për anëtarësim dhe uron të gjithë studentët dhe personelin akademik, duke mbetur të përkushtuar në ndërkombëtarizim dhe progres të mëtejme të proceseve të Universitetit Haxhi Zeka.