Përfaqësues të Universitetit Lund (Suedi), Ambasadës Suedeze në Prishtinë dhe UN-Habitat Kosova vizituan Universitetin Haxhi Zeka në Pejë (UHZ). Me këtë rast, Rektori Prof.dr. Armand Krasniqi, dhe përfaqësues të UHZ-së pritën në takim përfaqësuesit në fjalë duke i falenderuar për vizitën dhe duke iu uruar mirëseardhje.
Vizita u fokusua në potencialet dhe mundësitë e vendit në aspektet institucionale, ligjore, natyrore, ekonomike, kulturore dhe njerëzore që lidhen me zhvillimin e Industrive dhe Bizneseve Kulturore Kreative (Cultural and Creative Industries). Kjo lidhet me pasurinë kulturore, artistike dhe urbane të vendit, duke përfshirë artin, kulturën, median, trashëgiminë kulturore, inovacionin dhe ndërmarrësinë.
Në këtë theks, Rektori Krasniqi prezentoi punën e Universitetit dhe angazhimin e vazhdueshëm për përmirësim. Në prezentimin e tij Rektori foli detajisht për synimin e qartë të UHZ-së në përmbushjen e misionit të tretë. Në këtë drejtim, ai përmendi punën që UHZ ka bërë me organizimin e FER-D, dy edicioneve të UNISUM-it, themelimin e Institutit për Shkencë dhe Arte, Qendrës për Inovacion dhe Ndërmarrësi dhe jo vetëm. Po ashtu, u përmend që gjatë këtij viti akademik, për herë të parë, do të organizohet Universiteti Dimëror.
Diskutimi u shtrua mbi mundësitë e bashkëpunimit mes këtyre entiteteve lidhur me fushën e turizmit dhe arteve. Theksi u vu në potencialet turistike që ka Peja dhe Kosova. Gjithashtu, në rëndësinë e analizimit të potencialeve zhvillimore dhe kulturore të Pejës. U diskutuan, edhe në të mirat që mund të sjellin bashkëpunimet e tilla.
Për fund, Rektori Krasniqi theksoi se çdo bashkëpunim, ndihmë dhe kontribut ndaj institucionit përkthehet në kontribut për studentët.