Rektori i Universitetit Haxhi Zeka në Pejë (UHZ), prof.dr. Armand Krasniqi i shoqëruar nga Prorektorja për Mësim, Çështje Studentore dhe Kërkime Shkencore, prof.ass.dr. Alma Shehu Lokaj, anëtarja e Këshillit Drejtues, prof.ass.dr. Mersiha Kačamaković dhe drejtoresha e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar, znj. Arberora Haxhija po qëndrojnë në vizitë zyrtare në Universitetin e Zarës, Kroaci. Ata u pritën nga rektorja e këtij universititeti, prof.dr. Dijana Vican, prorektorët prof. Nedjeljka Balić Nižić, prof. Slaven Zjalić dhe prof. Zvjezdan Penezić.
Në ditën e parë të vizitës u mbajt takimi me menaxhmentin e Universitetit të Zarës të cilët prezantuan të arriturat e këtij institucioni në vitet e fundit. Kështu ata ndanë me delegacionin nga UHZ praktikat më të mira të institucionit. Edhe një herë treguan gadishmërinë e plotë për mbështetje të UHZ-së në të gjitha fushat me interes për zhvillim të tij.
Rektori Krasniqi theksoi se zgjedhja për të vizituar Universitetin e Zarës ishte pikërisht sepse ky universitet është i mirënjohur në Europë për cilësinë e lartë të shkencëtarëve dhe arsimit. Ndër të tjera ai theksoi se mënyra e punës së Universitetit të Zarës është në përputhje të plotë me atë që duam të bëjmë ne. “Populli Kosovar beson te Kroacia, ne duhet të punojmë në këtë drejtim për një arsim të mirëfilltë, sepse nuk ka rrugë tjetër për të përparuar”, theksoi rektori Krasniqi.
Gjatë kësaj dite udhëheqësja e Qendrës për Projekte, Shkencë dhe Transfer të Teknologjisë, znj. Irena Kozulić dhe përfaqësuesit e qendrës, z. Martin Zrilić dhe z. Franko Domazetović prezantuan të arriturat e kësaj qendre nëpërmjet projekteve kombëtare dhe ndërkombëtare. Ata ofruan mbështetjen për bashkëpunime dhe ngritje të kapaciteteve në shkrim dhe implementim të projekteve ndërkombëtare.