Me iniciativë të Zyrës për Zhvillim të Karrierës së Universitetit Haxhi Zeka në Pejë dhe me mbështetje të GIZ/DIMAK, u mbajt punëtoria për rrjetëzimin e zyrave të karrierës së Universiteteve Publike të Kosovës. Nevoja e ngritjes së kapaciteteve, shkëmbimi i informatave, hulumtimi, panairet e përbashkëta dhe Alumni, ishin disa nga pikat kryesore që u disktuan në mes përfaqësuesve të zyrave, në lidhje me çka edhe u ra dakord që të jenë elementet bazë të marrëveshjes për rrjetëzim.
Ngritja e rrjetit të bashkëpunimit është në interes jo vetëm të zyrave të karrierës por edhe studentëve dhe universitetëve përkatëse. Gjithashtu, është në interes të një bashkëpunimi më efikas dhe më kuptimplotë. Kjo thuhet edhe në aspektin e bizneseve, shoqërisë civile dhe në veçanti të donatorëve, sikurse GIZ/DIMK, i cili që disa vite po vazhdon mbështetjen për zyrat e karrierës dhe ka zotim të vazhdoj.
ZZHK e UHZ-së, në ditët në vazhdim do të përgatisë një draft marrëveshje, duke u bazuar në diskutimin e punëtorisë, të cilën do ta ndajë me zyrat tjera dhe sipas dakordimit përfundimtar do të nënshkruhet në një ceremoni zyrtare. Marrëveshja do të jetë e formës së vullnetit të mirë dhe në kuadër të rregullativës së universiteteve publike.
Me këtë rast falënderojmë znj. Arnisa Aliçkaj zyrtare nga GIZ/DIMAK edhe ekspertin e tyre, z. Baki Svirca, për kontributin në punëtori, si dhe në hulumtimin që ka bërë për nevojat dhe ngritjen e kapaciteteve të zyrave të karrierës, për organizimin e pavarur të panaireve të punës, karrierës dhe ndërmarrësisë.